TRASHËGIMIA KULTURORE

Mulliri i Dragashit

Si të gjithë mullinjtë në Komunën e Dragashit, dhe Mulliri i Dragashit punonte nga rrjedha e lumit, pasi që ishte burimi më i sigurtë dhe ekonomik i energjisë. Muret ishin nga guri dhe mbulohen me rrasa. Gruri bluhej nga dy gurë, një i sipërm dhe i poshtëm.
Mulliri është riparuar duke ruajtur autencitetin e tij.

Tyrbja e Pllavës

Tyrbja e Pllavës është mjaft e vjetër, daton që nga koha e Perandorisë Osmane,
madje në disa shkrime thuhet se kjo tyrbe është ndërtuar për nder të një misionari
turk. Tyrbja është e ruajtur si origjinale me shumë pak renovim.

Shtëpia tradicionale opojane

Forma e shtëpisë opojane është katërkëndëshe dhe përbëhet prej 2 katësh. Kati i parë përbëhej nga vatra, korridori dhe kori (ahuri). Kati i dytë ka dhomën e miqve, dhomën e fjetjes dhe ballkanin (çardakun).
Shtëpia ndërtohej nga guri ose balta e pjekur dhe druri (hatlla) dhe mbulohej me rrasa. Karakteristikë e shtëpive opojane është dhe muri rrethues prej guri dhe dera nga druri.

Stanet

Stanet janë kasolle për barinjtë të cilët ruajnë bagëtinë. Këto janë ndërtuar nga vetë familja që banonte aty, andaj dhe madhësia e tyre varet nga numri i anëtarëve të familjes. Ai përdorej për fjetje si dhe për qëndrim ditor.
Ndërtimi i tyre bëhet me gurë, si dhe mbulohet me kashtë. Ka dy dyer, një kryesore për banorët dhe një që të lidh me bagëtinë.

Velanica në Bellobrad

Valanica bënte shtypjen e zhgunit i cili më pas përdorej për veshje. Daton nga viti 1800 dhe është e vetmja e ruajtur e këtij lloji. Furnizonte banorët e Komunës së Dragashit, Prizrenit, Tetovës dhe Gostivarit.
Valanica është restauruar në një masë të madhe duke ruajtur origjinalitetin, ndërsa pajisjet brenda janë të gjitha origjinale

Namazgjahu në Buzez

Namazgjahu është objekt fetar islam, i cili shërben për faljen e namazit në ambient të hapur. Ky namazgjah është një nga të katërtit në gjithë Ballkanin. Daton përgjatë shekullit XIV-XV, ku në bazë të asaj që thuhet, banorët nga gjithë treva e Opojë kanë kryer namazin këtu.
Objekti është renovuar deri në një masë, por ka ruajtur origjinalitetin e tij.

Varri i Gjermanit

Varri i Gjermanit daton nga viti 1689, dhe thuhet se i takon gjeneralit austriak Pikolemin. Ai gjatë vitit 1689 u infektua me murtajë dhe u varros në afërsi të Prizrenit, me gjasë në këtë vend.
Shkrimi i gjeneralit Pikolemin mbi Kosovën, përkatësisht mbi banorët e Opojës vërteton më tej këtë.

Xhamia e fshatit Mlikë

Xhamia e fshatit Mlikë në bazë të të dhënave është ndërtuar në vitin 1289, më saktësisht 170 vjet para arritjes së Perandorisë Osmane në Ballkan. Në bazë të shkrimeve në pllaka të ruajtura, xhamia e fshatit Mlikë është ndërtuar nga tregtarë sirian. Xhamia është tërësisht e renovuar pasi që xhamia e parë është djeguar tre herë, e bashkë me to janë djegur dhe dokumentet që dëshmonin këtë, mirëpo këtë e dëshmojnë gurët e varreve dhe xhamisë së po kësaj xhamie.

Kroi i Macës

Në një fshat mjaft malor, Kroi i Macës ende u shërben banorëve për pije dhe freskim. Kroi i Macës daton nga viti 1380, me arritjen e barinjëve të parë në këtë vend, ku dhe ndërtuan stanin e parë, e më pas u krijua dhe fshati Pllajnik nga kjo pikë. Arsyeja e emërimit si Kroi i Macës është për arsye se në atë kohë tek ky krua jetonin disa mace. Ky krua është renovuar tërësisht dhe është ende funksional.

Muzeu Etnologjik i Dragashit

Muzeu Etnologjik gjendet mbrapa Shtëpisë së Kulturës në qytezën e Dragashit. Ky muze ofron një mundësi ideale për të parë së afërmi pasurinë etnologjike të Komunës së Dragashit. Ndonëse nuk është gjithmonë i hapur, ai mund të vizitohet lehtë nëse kontaktoni me Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport.