PËR
DRAGASHIN
Pasuri thelbësore e Dragashit është se gërsheton trashëgiminë e traditave kulturore dhe veçorive natyrore. Ky vend përshkruan kulturat rurale malore dhe mënyrat e jetesës që i janë përgjigjur dhe janë zhvilluar në këtë peizazh të largët malor gjatë shekujve, ku dhe krijon një ndjenjë autentike të vendit përmes gjurmëve, shtigjeve, ndërtesave dhe modeleve bujqësore, riteve, festivaleve dhe traditave.
Dragashi është komuna më jugore e Kosovës, e cila kufizohet me vendet fqinje si Maqedonia e Veriut në lindje dhe jug, si dhe me Shqipërinë në perëndim. Në veri, Dragashi kufizohet me Komunën e Prizrenit që është qendra e rajonit jugor të Kosovës në kuadër të së cilës është dhe Dragashi. Qyteza është 37km larg nga Prizreni.
Komuna e Dragashit përfshin një sipërfaqe prej 435.8 km2, afërsisht 4% e tërë territorit të Kosovës dhe është e teta për nga madhësia në mesin e 38 komunave të Kosovës. Komuna e Dragashit përfshin 36 vendbanime, me qytezën e vogël të Dragashit si qendër. Fshatrat më të populluara janë Restelica, Bresana, dhe Brezna me mbi 1900 banorë. Karakteristikë specifike e Dragashit janë hapësirat e gjëra të kullotave që e ka bërë këtë zonë të përshtatshme për blegtori, bujqësi dhe produkte bujqësore.
Në Dragash majat më të rëndësishme janë:
Koritniku në veriperëndim në kufi me Shqipërinë (2262m), Kodra e Karanikolles në veriperëndim (2409m), Maje në lindje (2493m), Kryet e Kaçit në veri të Brodit (2207m), Vraça e Madhe në juglindje (2536m, maja më e lartë) dhe Kësula e Priftit në jugperëndim (2075m).
Një pjesë e konsiderueshme e Komunës së Dragashit (24,206.52 Ha) është shpallur pjesë e ’Parkut Nacional Sharri’. Rajoni është i pasur me burime të ujit me dy lumenj kryesorë – Pllava dhe Restelica, me një numër të degëve dhe tri liqene. Fshatrat e Gorës, të vendosura nëpër bjeshkë janë më kompakte se fshatrat e Opojës të cilat janë të vendosura në rrafshina me shtëpi të shpërndara.
HISTORIKU I DRAGASHIT
Vendbanimi në Dragash thuhet se daton qysh nga kohërat e lashta, ngjashëm me vendet tjera në rajonin e Prizrenit ku janë gjetur dëshmi të jetës qysh në kohën e neolitit dhe kohën e gurit, si dhe dëshmi të rëndësishme nga periudha Romake dhe ajo Osmane. Si zonë malore e lartë, kushtet topografike dhe klimatike kanë pasur ndikim të madh në qasjen e cila ka qenë e rëndësishme për historinë dhe zhvillimin socio-kulturor të kësaj zone.
Prizreni njihej për tregtinë tij të fuqishme si një udhëkryq për rrugët ushtarake dhe tregtare, andaj ishte një qendër shumë e rëndësishme me të cilën komunitetet në zonën e Dragashit kishin lidhje të forta, sikurse që kanë edhe sot.
Një udhëkalim malor lidh Dragashin me Dibrën përmes Restelicës, dhe pozita e këtij fshati si një portë e kësaj rruge ndoshta shpjegon arsyen përse ky fshat është një vendbanim aq i madh e i banuar.
Me gjasë lidhjet ndërmjet banoreve të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë qendrore/lindore përmes maleve të Dragashit kishin një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e arkitekturës së rëndomtë dhe monumentale të Kosovës. Fjala ‘Gora’ në gjuhën sllave nënkupton ‘malin’, andaj populli Goran thuhet të jenë malësor’.
Gjuha e folur nga Goranët ( Našinski që përkthehet si ‘i yni’) është një shkrirje e gjuhës maqedone, boshnjake, serbe dhe turke. Në aspektin gjuhësor, gjuhet sllave janë folur në rajonin malor të Sharrit, ku udhëtuesit e shekullit të nëntëmbëdhjetë tregojnë se janë folur gjuha ‘maqedone’ dhe ‘bullgare’ nëpër këtë territor.